Dezifektohen zonat bregdetare në Fier, minimizohen kolonitë e mushkonjave

TIRANË, 13 korrik /ATSH/- Gjatë kësaj periudhe vere problematike evidente për zonat bregdetare, dhe jo vetëm, është prania e mushkonjave dhe insekteve të tjera, të cilat janë evidentuar në pjesën më të madhe të vijës bregdetare në të gjithë qarkun.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me dy strukturat e varësisë, Institutin e Shëndetit Publik dhe Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor janë në gatishmëri  të plotë që ky proces të realizohet me sukses.

Specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, epidemiologë dhe dezinfektues, kanë zbritur në terren për të evidentuar problematikat, duke nisur edhe punën për luftën kundër mushkonjave.

Kreu i Drejtorisë së Shëndetësisë në Fier, Kreshnik Ternova, është shprehur se janë identifikuar zonat me të nxehta, është bërë analiza e situatës, duke nxjerr në pah llojin e insektit dhe nivelin e infektimit, duke nisur edhe punën e dezinfektimit.

“Kemi filluar dezinfektimin në zonën e Darëzezës së Semanit dhe në zonën e Divjakës, që janë mjaft të frekuentuara edhe nga pushuesit e turistët. Ndërsa procesi i dezinfektimit do të vijojë edhe në zonat rurale”, – tha ai.

Sipas Ternovës, përdorimi i preparateve dezinfektuese nuk është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve dhe fushata e dezinfektimit do të vazhdojë deri në muajin tetor. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.