Çuçi: Produktet tona bujqësore në tregjet europiane, eksportet u rritën me 26% në 2019

TIRANË, 13 korrik/ATSH-Maela Marini/ Në 6-mujorin e parë të vitit 2019 ka një rritje me 26% të eksporteve bujqësore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në një intervistë për ERTV nga Gjirokastra, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, foli mbi transformimin e bujqësisë shqiptare nga ajo e mbijetesës te bujqësia e mirëqënies, e karakterizuar sot nga rritja e prodhimeve cilësore, rritja e eksporteve dhe e konkurrueshmërisë së prodhimeve shqiptare në tregjet e huaja.

Ai u ndal po ashtu edhe te “frytet e para të mbështetjes së qeverisë ndaj agroturizmit si model investimi për më shumë turistë”.

“Po shohim që është rritur shumë prodhimi bujqësor dhe mbi të gjitha jemi konkurrues në rajon dhe Europë me produktet bujqësore shqiptare. Treguesit e eksportit vetëm në 6 muajt e parë të 2019, krahasuar me 2018, janë rritur rreth 26%, ndërkohë që mes këtyre produkteve ka që rriten me 60% ose 70%”, tha Çuçi.

Sipas tij, “prodhimi bujqësor po rritet dhe po shoqërohet edhe me cilësi, sepse po kap tregje perëndimore dhe kjo nuk është e lehtë”.

Çuçi tha se mbështetja e qeverisë për serrat dhe pikat e grumbullimit po jep rezultate. “Serrat bëjnë të mundur që produkti bujqësor të dali në një fazë më të hershme. Produktet shqiptare, falë vizionit që ne kemi pasur për të mbështetur serrat, janë më konkuruese në çmim. Po ashtu pikat e grumbullimit janë shumë të rëndësishme, pasi kërkojnë tregje në Europë dhe bashkojnë prodhimet e fermerëve shqiptarë. Janë rreth 1500 fermerë në patronazh vetëm të një pike grumbulllimi dhe ne kemi mbështetur me financime këto pika”, tha ai.

Ministri tha se ka një interes në rritje për skemat kombëtare të mbështetjes financiare për fermerët shqiptarë dhe për programin IPARD. “Vetëm në thirrjen e parë kemi një paketë financuese që do i kalojë 10 milionë euro. Brenda 6 muajve mbyllim kontratat e para dhe jemi në rrugë të mbarë pasi kemi një paketë në dispozicion prej 90 milionë euro që ne duhet ta shfrytëzojmë brenda 3 viteve”, tha ai.

Sa i takon eksporteve, Çuçi tha se “kemi një problem akoma me produktet shtazore, por me produktet e bujqësisë jemi konkurrues”. “Në 2018, Shqipëria është vendi i 20 në botë për nga volumi për eksportin e domates. Ne jemi konkurrues me disa nga produktet tona që eksportohen nga Maqedonia, Greqia e deri në Suedi e Norvegji”, tha ai.

Po ashtu, Çuçi tha se “fokusi i qeverisë është te rritja e agroturizmit që lidhet me diversifikimin e ekonomisë rurale dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm rural”. “Edhe këtu kemi interes në rritje si nga ata që duan të hyjnë në këtë biznes por edhe nga konsumatorët që gjithmonë e më tepër po i frekuentojnë këto pika”, tha ai.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.