Lojërat e fatit/ Ushtronte aktivitet të paligjshëm, procedohet një shtetas në Tiranë

TIRANË, 12 korrik /ATSH – I. Vata/ – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vazhdon kontrollet për të goditur paligjshmërinë e aktiviteteve të lojërave të fatit.

Policia e Tiranës ka dërguar për procedim penal 1 shtetas për veprën  “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Po ashtu, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11 monitorë me tastiera të markave të ndryshme, një njësi kompjuteri dhe një pajisje interneti.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 4, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin: F. Z., 43 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin nën administrimin e shtetasit F. Z në rrugën “Dom Nikoll Marku”, u gjetën 11 monitorë me tastiera të markave të ndryshme, një njësi kompjuteri dhe një pajisje për shpërndarje interneti që shërbenin për të ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, Policia Vendore e Tiranës garanton se kontrolle kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës,me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të këtillë të kundërligjshme. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.