KLP interviston edhe 5 prokurorë, kandidatë për SPAK

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë intervistoi sot pesë prokurorë duke përmbyllur fazën e intervistimit të kandidatëve për emërim në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Plot 22 prokurorë u pyetën përgjatë disa ditëve radhazi nga komisioni i KLP-së në prani të ekspertëve të huaj. Kandidatëve iu drejtuan pyetje për dosjet që kanë hetuar, por edhe vizionin që ata kanë për SPAK-un.

Kandidatët e fundit që u intervistuan të premten nga KLP ishin prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prençi, Ndini Tavani e Maksim Sota, të cilët kanë hetuar dosje të rëndësishme.

Pas përfundimit të intervistave me kandidatët për emërim në SPAK, javën e ardhshme pritet pikëzimi i të gjithë kandidatëve.

Pas kësaj procedure ata duhet të kalojnë edhe procesin e Vetingut për të qenë zyrtarisht pjesë e Prokurorisë së Posaçme. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.