Hetimi Doganor sekuestron 2494 koli cigaresh kontrabandë në Durrës

TIRANË, 12 korrik /ATSH – I. Vata/ – Drejtoria e Hetimit Doganor pranë Departamentit Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, sekuestroi 2494 koli cigaresh në Doganën e Durrësit, të cilat po transportoheshin kontrabandë.

Gjatë kontrollit të kontejnerëve të cigareve u konstatua se të gjitha paketat ishin pa pullë fiskale. Sasia që u sekuestrua është 2494 koli, ose 1.247.000 paketa të markës “Manchester”, llojet “Black Queen” dhe “Blue Queen”.

Ky është kontejneri i tretë që sekuestrohet nga Hetimi Doganor në një periudhë kohe prej 3 muajsh, ku në muajin prill u sekuestruan 1000 koli me cigare.

Drejtoria e Hetimit Doganor e ka referuar rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës, për veprën penale: “Kontrabanda me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, të parashikuar nga neni 172 i Kodit penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, dhe veprës penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, parashikuar nga neni 149/a I K.Penal. Vlera e këtij malli nëse ai do të hidhej në treg përllogaritet 184.6 milion lekë.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe me partnerët ndërkombëtare, po kryhen veprimet hetimore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.