Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj në Gjirokastër/ Margariti: Do ndryshojë dinamika e qytetit

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është rikthyer në Gjirokastër për të inspektuar punimet në qytetin e gurtë.

“Gjirokastra na mblodhi sërish. U rikthyem të inspektojmë punimet në kalldrëme, që po i ribëjmë nga e para, për t’u ofruar bizneseve dhe banorëve, shërbimet e munguara. Nuk mungojnë skeptikët, por me mbarimin e punimeve, do të shijojnë lehtësirat. Fasadat e unifikuara dhe kalldrëmet e rinj, do të ndryshojnë dinamikën e qytetit”, theksoi ajo.

Projekti për rehabilitimin urban dhe restaurimin e kalldrëmeve të Gjirokastrës po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin”. Për këtë pjesë të ndërhyrjes FSHZH bashkëpunon ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Kulturës, specialistët e së cilës sigurohen që punimet për restaurimin e kalldrëmeve të kryhen sipas parametrave të duhur.

Kalldrëmi që po restaurohet është i viteve ’70-80. Në shumë vende ai ishte shumë i dëmtuar si në sipërfaqe, ashtu dhe në shtresat e tij. Gjatë punimeve inxhinierike u zbuluan edhe disa segmente kalldrëmi të vjetër që mendohet se është nga 200 deri në 400-vjeçar. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.