Durrës/ Përpunohen 193 mijë tonë mallra më shumë sesa 6-mujori 2018

TIRANË, 12 korrik/ATSH/- Në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti janë përpunuar 11% mallra më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit 2018.

Sektori i Statistikave në Autoritetin Portual Durrës, bën me dije se në 6-mujorin e parë të vitit 2019 janë përpunuar më shumë se 2 milionë tonë mallra të ndryshme, një shifër 11% më e lartë se sa vitin e kaluar.

Nga statistikat portuale mësohet gjithashtu se pjesa më e madhe e mallrave janë përpunuar nga anijet tregtare, 1.559.017 tonë mallra gjithsej; ndërsa pjesa tjetër, afro 460 mijë tonë import-eksporte janë përpunuar nga tragetet që hyjnë e dalin në portin më të madh të vendit tonë.

Gjatë këtij 6-mujori në katër Terminalet e Portit të Durrësit janë përpunuar afro 193 mijë tonë mallra më shumë sesa në periudhën janar-qershor të vitit 2018. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.