Basha: Kriza politike mund të zgjidhet vetëm përmes parimeve dhe standardeve perëndimore

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se, ekonomia është drama më e madhe e shqiptarëve, teksa theksoi se, 31% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot shpenzimet mujore.

Në përfundim të mbledhjes me kryesinë dhe ish-grupin parlamentar, Basha u shpreh se “të dhënat më të fundit provojnë atë që kemi parë me sytë tanë në qytete, në fshatra, madje edhe në plazh, njerëzit nuk kanë lekë për të blerë bukën e gojës. 31% e familjeve nuk mbyllin dot shpenzimet për ushqimet, nuk mbyllin dot shpenzimet e bukës, nuk mbyllin dot shpenzimet mujore. Ky është prioriteti i vërtetë dhe absolut i vendit. Ndaj, gjithë vëmendja jonë dhe gjithë energjia jonë është përqendruar drejt dhënies formë të ndryshimit që pret dhe meriton çdo shqiptar, duke filluar me gjendjen ekonomike, ku e ka katandisur vendin ky regjim”.

Basha u shpreh se, “që gjendja ekonomike të ndryshojë duhet të zgjidhim krizën politike. Dhe kjo krizë politike mund dhe do të zgjidhet vetëm përmes parimeve dhe standardeve perëndimore. Fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur duke vjedhur votat, ndëshkim këtij regjimi që nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe veten e vet, kur vetë kandidonte, vetë votonte, vetë numëronte, vetë tabulonte dhe vetë shpallte rezultatet dhe kthimit të sovranitetit të qytetarit”.

“Janë qytetarët ata që do të vendosin me votën e tyre qeverisjen që meritojnë dhe, sa na takon ne, bashkë me qytetarët, këto ditë, këto javë, këto muaj, do t’i japim formë projektit tonë të transformimit ekonomik dhe politik të vendit. Prioritet absolut mbetet dhënia fund qeverisjes korruptive që raporti i Departamentit të Shtetit, dje, e cilësoi qeverinë më të korruptuar të Ballkanit”, tha Basha.

I pyetur sesi do të vazhdojë aksioni opozitar, Basha tha se, “siç ka vazhduar do të vazhdojë. Lajmi është ky: gjithë fokusi ynë do të vendoset tek prioritetet e vërteta të njerëzve, çlirimi nga mjerimi ekonomik dhe hapja e rrugës për punësim dhe për mirëqenie për çdo shqiptar. Kjo vjen përmes reformave të thella politike, kjo vjen përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe për këtë beteja që ka nisur dhe që ka marrë mbështetjen e mbi 85% të shqiptarëve me 30 qershor, do të vazhdojë deri në kurorëzimin e saj me fitoren e plotë të çdo qytetari. Në këtë betejë nuk jemi për karriget tona, ato i dorëzuam. Nuk jemi për pushtetin tonë, atë e sakrifikuam. Për hir të qytetarëve dhe për hir të interesit qytetar do të bëjmë çdo sakrificë dhe çdo betejë, me çdo formë dhe me çdo mjet të mundshëm për t’u rikthyer njerëzve vendimmarrjen, votën dhe, përmes tyre, një qeveri që punon për ekonominë, për punësimin dhe për mirëqenien e tyre dhe të fëmijëve të tyre”.

/gj.mima//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.