Raporti 3-mujor i luftës kundër korrupsionit, Caka: Veprimtari e pandalur e Taskforcës

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Lufta kundër korrupsionit si prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe si parakusht kryesor për ushtrimin e demokracisë nga qytetarët, nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, transparencës dhe integritetit të institucioneve ligjzbatuese mblodhi sot si çdo 3-mujor në Ministrinë e Drejtësisë Grupin Tematik/Komiteti Koordinativ Antikorrupsion.

Zv.ministrja e Drejtësisë tha sot se me “me pjesëmarrjen e zv.ministrave përgjegjës për antikorrupsionin në të gjitha Ministritë e vendit, me përfaqësim të institucioneve shtetërore me rol deciziv në luftën kundër korrupsionit, sikurse dhe në prani të përfaqësuesve të Delegacionit Europian dhe partnerëve tanë të tjerë ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, paraqitëm përditësimet më të fundit të luftës kundër korrupsionit, shprehur në veprimtarinë e pandalur të TaskForcës Antikorrupsion”.

Në takim u diskutua dhe u miratua Raporti i Monitorimit të Zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale Antikorrupsion për 3-mujorin e parë të vitit.

Në fokus të Komitetit ishte edhe Draft-Plani i ri i Veprimit 2013-2023 në zbatim të Strategjisë.

“Mirëpritëm komentet e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për draftin, të hartuar me kontributin e 28 institucioneve në vend, si dhe ndamë problematikat e hasura deri më tani mbi procesin e ndjekur, për lehtësimin dhe eliminimin e të cilave do të punojmë në vijim me asistencën e pamunguar dhe të mëtejshme të Delegacionit të BE në Shqipëri”, tha Caka.

“Falënderim gjithë aktorëve institucionalë dhe atyre përtej aparatit shtetëror për gatishmërinë e treguar deri më tani në ecurinë e mirë të luftës antikorrupsion, të cilët me angazhimin dhe entuziazmin e treguar edhe sot na japin zemër dhe besim të mirë se përpjekjet do të vijojnë edhe më të forta!”, përfundoi ajo. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.