Projektligji “Për mbrojtjen civile”/ Çako: Modernizim i sistemit sipas standardeve të BE

TIRANË, 10 korrik/ATSH/- Zbatimi i projektligjit “Për mbrojtjen civile” do të shënojë edhe fillimin e një reforme ligjore, strukturore, administrative me qëllim modernizimin e sistemit të mbrojtjes civile sipas standardeve të Bashkimit Europian duke shënuar njëkohësisht një përafrim të vendit tonë në BE.

Kështu deklaroi sot drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, në ceremoninë e organizuar për prezantimin e këtij projektligji, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, oficerë, ushtarakë, etj.

“Projektligji “Për Mbrojtjen Civile” përbën në vetvete një kontribut disavjeçar të ekspertëve më të mirë shqiptarë në këtë fushë, të cilët kanë shfrytëzuar të gjitha ekspertizat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, legjislacionet dhe përvojën e vendeve të tjera të Europës, si Itali, Slloveni, Kroaci, Greqi, Austri, etj.”, – tha Çako.

Ai theksoi faktin se në zbatim të porosisë dhe vëmendjes së veçantë të Kryeministrit Rama ky pr/ligj u bazua dhe hartua me asistencën edhe konsulencën e ngushtë të Departamentit të Mbrojtjes Civile Italiane, për të cilët, tha Çako, gjej rastin të shpreh falënderime dhe mirënjohje të veçantë.

“Një rëndësi e veçantë i është kushtuar qëllimit të ligjit sikurse identifikimit të parimeve dhe objektivave të tij për të renditur Shqipërinë sa më shpejt vendeve të tjera anëtare të BE-së përsa i përket nivelit të zbatimit praktik të politikave moderne bashkëkohore në fushën e zvogëlimit, reduktimit të fatkeqësive dhe mbrojtjes civile”, – nënvizoi Çako.

Kreu i Emergjencave tha se “Drejtoria e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes i ka kushtuar një analizë të detajuar situatës së ngjarjeve dhe fatkeqësive në vend, gjetjeve dhe rekomandimeve të organizatave dhe partnerëve ndërkombëtarë, mbi situatën e sistemit të mbrojtjes civile. Këto raporte të konsideruara objektive si dhe të një shkalle të lartë ekspertize nënvizojnë renditjen e Shqipërisë në 10 vendet e para në botë me risk të lartë ekonomik nga rreziqet e shumëfishta nga fatkeqësitë”.

“Për këtë arsye ato rekomandojnë një sërë masash strukturore dhe jostrukturore që synojnë daljen nga gjendja në të cilën ndodhet sistemi i mbrojtjes civile dhe anëtarësimin e vendit tonë sa më shpejt në mekanizmin e mbrojtjes civile të unionit”, – tha Çako./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.