Emergjencat, Xhaçka: Zhvendosim fokusin nga parandalimi te zvogëlimi i fatkeqësive natyrore

TIRANË, 10 korrik /ATSH – I. Vata/ – Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka prezantuar sot projektligjin e ri për Mbrojtjen Civile, e cila e konsideron një revolucion, mënyra se si i qasemi emergjencave, duke e zhvendosur fokusin nga reagimi te parandalimi dhe zvogëlimi i riskut.

Xhaçka tha se projektligji i ri sjell risi, detyrimet dhe përgjegjësitë për institucionet si dhe një revolucion në të gjithë qasjen e institucioneve shqiptare, por edhe të shoqërisë shqiptare ndaj emergjencave civile.

“Ligji i ri për mbrojtjen civile prek interesa dhe kompetenca, ngarkon detyrime dhe sanksione dhe natyrshëm ngjall edhe rezistencë dhe diskutime”, – tha ajo.

Xhaçka shtoi se ka kaluar një vit e gjysmë që kur përgjegjësia e emergjencave civile ka kaluar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe patjetër ka qenë një përgjegjësi e madhe dhe kemi ditur ta përballojmë më së miri gjatë një periudhe kur sfidat nuk kanë munguar.

“Kështu përballuam dhe menaxhuam përmbytjet në jug në 2018, ato në qarkun e Shkodrës në mars të 2018, zjarret gjatë vitit 2018, por edhe  gjatë muajve të parë të këtij viti. Tërmetet në Dibër, Lezhë në 2018 dhe këtë në Korçë në 2019. Për të gjitha situatat emergjente, kemi realizuar dhe disa projekte parandaluese ku do të theksoja forcimin e argjinaturës së Vjosës në bashkëpunim me bashkinë e Fierit, duke siguruar komunitetin atje nga vazhdimi i përmbytjeve të Vjosës dhe nga sa sot që flasim janë 4 milion dollarë të akorduar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Financës për emergjencat civile për realizimin e disa projekteve të përgatitura nga ministria e Bujqësisë, kryesisht për ndërtim argjinaturash, rehabilitimin e shtretërve të disa lumenjve, duke siguruar kështu komunitetet e atyre zonave për gjatë Shkumbinit dhe Vjosës nga rreziku i vazhdueshëm i përmbytjeve”, – tha ajo.

Po ashtu, Xhaçka vlerësoi profesionalizmin e punonjësve të emergjencave civile duke shtuar se falë kësaj eksperience, ne krijuam bindjen për reformimin e këtij sektori.

“Reformimi i këtij sektori fillon me ligjin e ri. Pjesa më e rëndësishme e këtij projektligji është se sjell një revolucion në mënyrën se si ne i qasemi emergjencave, duke e zhvendosur fokusin nga reagimi te parandalimi dhe zvogëlimi i riskut”, – tha ministrja.

Xhaçka tha se ndër vite ka pasur një shpërfillje ndaj parandalimit dhe ndaj parapërgatitjes dhe zvogëlimit të riskut.

“Po ashtu ka pas një mungesë të madhe përgjegjshmëri edhe ndaj qytetarëve pasi siç mund t’u thotë çdo specialist dhe çdo raport ndërkombëtare se Shqipëria është një nga dhjetë vendet e para në botë për sa i përket riskut të lartë ekonomik ku 86% e territorit është i ekspozuar ndaj dy  apo më shumë rreziqeve. Apo siç thotë raporti i riskut botëror i 2016 që duhet thënë ka qenë një këmbanë alarmi për ne për sa i përket indeksit të riskut nga fatkeqësitë natyrore ku Shqipëria renditet vendi më i rrezikuar në Europë dhe i 40 në botë”, – tha Xhaçka.

Duke vënë theksin te ligji i ri, Xhaçka shtoi se me ligjin për mbrojtjen civile ne sjellim një ndryshim shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. “Nga sot krahas fuqizimit të kapaciteteve reaguese, fillojnë dhe puna për të zvogëluar riskun me të cilën përballet vendi unë dhe qytetarët. Është një qasje identike me atë  që zbatohet prej kohësh në mjekësi, ku çdo mjek mund t’ju thotë se parandalimi është jo vetëm është më efikas por me kosto më të ulët se sa reagimi ndaj sëmundjes”.

Xhaçka theksoi se me miratimin e ligjit të ri, i hapet rrugë anëtarësimin të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Europiane.

“Është e papranueshme që sot vetëm Shqipëria, Kosova, Bosnje Hercegovine mbeten ende jashtë këtij mekanizmi, si pasoj  e neglizhencës për të reformuar këtë sektor gjatë dekadave të fundit”, – tha ajo.

Xhaçka tha se ligji i ri do të bëjë  transformimin e Drejtorisë së Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Prandaj një nga risitë që sjell projektligji është transformimi i Drejtorisë së Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile që do të jetë një strukturë e përhershme ndërinstitucionale e nivelit të lartë me më tepër autoritet me kapacitete të mëdha administrative, teknike dhe financiare krahasuar me atë që kemi sot”, – tha ajo./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.