TIRANË, 10 korrik/ATSH/ “Shkodra është e të gjithëve, nuk kemi ndjesi triumfatore, por mendojmë që ka nevojë për ndërhyrje emergjente në mënyrë që qyteti të kapi ritmin e qyteteve të tjera për të mos thënë që meriton shumë më tepër”, deklaroi sot në një prononcim për mediat deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati.
Në cilësinë e të deleguarit të PS-së për qarkun e Shkodrës, Bushati zhvilloi sot një takim në Asamblenë e Partisë Socialiste në Shkodër.
Bushati tha se “ky takim është një proces normal që ne po zhvillojmë në çdo bashki edhe në qarkun Shkodër, ku analizojmë në radhë të parë votën”.
“Kemi lexuar me shumë kujdes dhe shumë realizëm procesin e 30 qershorit këtu në Shkodër. Për ne është shumë e rëndësishme që bashkia të fillojë të bëjë punë për të gjithë qytetarët, jo thjesht për ata që kanë mbështetur Valdrinin apo PS-në dhe të fillojmë disa projekte të rëndësishme sepse qyteti ka nevojë për të ndryshuar, bashkia ka nevojë për të ndryshuar dhe është shumë e rëndësishme që të përputhen sa më mirë vizionet në këtë pikë”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjet e 30 qershorit, Bushati tha se “nuk ka pikë diskutimi që ne do të dëshironim që ky proces të kishte përballë dy kandidatë apo më shumë se dy, për t’i dhënë mundësinë secilit për të paraqitur platformën së bashku me subjektet politike apo partitë që e mbështesin”.
“Në Shkodër është e vërtetë që tradicionalisht këtë bashki e ka drejtuar PD, apo ka qenë shumicë, po është gjithashtu po kaq e vërtetë që sidomos 5-6 vitet e fundit qyteti është lënë pas dore, nuk ka një administrim lokal të atyre punëve që duhet t’u rrish te koka dhe një kryetari apo kryetare që duhet të jetë i përkushtuar për punët e komunitetit dhe jo për replika që në fund të ditës kam përshtypjen nuk i shërbejnë komunitetit”, tha Bushati.
Lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje në Shkodër, Bushati tha se “nuk duhet të harrojmë që kishim sulme me molotov ndaj KZAZ-ve në Shkodër, kishim djegie të materialeve dhe kutive të votimit, u mbyllën një pjesë e të institucioneve publike që ishin në varësi të bashkisë Shkodër”.
“Shkurt, kishte një qasje obtruksioniste, dhe në një garë ku nuk ka më shumë se një kandidat është deri diku e kuptueshme që s’do të ketë një pjesëmarrje apo emocionin e një gare të zakonshme. Kjo na bën dyfish më të kujdesshëm për të administruar bashkinë Shkodër në mënyrë dinjitoze dhe moderne për gjithë qytetarët e Shkodrës, qoftë për ata që kanë votuar e mbështetur Valdrinin, qoftë për ata që nuk e kanë besuar për asnjë ditë apo që kanë zgjedhur për të qëndruar në shtëpi dhe nuk kanë dalë në kutitë e votimit”, tha ai.
Po ashtu, Bushati tha se ‘nuk do të ketë asnjë hakmarrje në Shkodër”. “Nuk ka nevojë të fillojmë procesin e vetëviktimizimit në Shkodër. E thashë, Shkodra ka nevojë për punë, ka nevojë për një kryetar të përkushtuar 24 orë, ka nevojë për një këshill bashkiak që miraton politikat më të mira publike për bashkinë. Ka një handikap që opozita nuk do të jetë as në këshillin bashkiak. Besoj që ne do të vendosim një standard të ri dhe në këtë drejtim. Nuk kemi asnjë plan e aq më tepër ambicie për të ndërtuar një bashki të karakterit politik që mund ti shërbente vetëm një grupi njerëzish, sepse mendojmë që bashkia duhet që të jetë në qendër të vëmendjes për gjithë qytetarët e Shkodrës”, tha ai./m.m/ /a.g/
