Rotacioni në bashki/ Nikolla: Besoj se kryebashkiakët e djathtë nuk do i bien murit të ligjit me kokë

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla u shpreh besimplotë se kryebashkiakët e djathtë do t’i thërrasin arsyes dhe nuk do t’i bien murit të ligjit me kokë, e pyetur në një studio televizive për qëndrimin e tyre për të mos liruar zyrat në gusht.

“Mandati i të zgjedhurve të 2015-ës përfundon dhe pas përfundimit të mandatit, ata nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre që nuk ua njeh ligji. Besoj se ata do t’i thërrasin arsyes dhe përtej ngjyrimeve politike, apo forcave që përfaqësojnë ata, nuk do të harrojnë që këto 4 vite kanë shërbyer në krye të komuniteteve duke qenë përfaqësues të tyre”, – tha Nikolla.

“Ata duhet të jenë njerëzit më të interesuar që puna të mos mbetet pas, që shkollat, çerdhet dhe çdo punë tjetër që ka nisur duhet të vijojë. Në këtë këndvështrim, unë besoj se ata nuk do të jenë njerëz që i bien me kokë murit të ligjit, por do të jenë njerëz që do t’i thërrasin arsyes dhe gjithçkaje, që kanë përfaqësuar këto 4 vite”, – theksoi ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.