Restaurohet afresku i kishës së “Shën Mërisë” në Sinjë, Berat

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Afresku i kishës së “Shën Mërisë” në Sinjë të Beratit i është nënshtruar restaurimit.

Projekti u hartua nga specialistët e sektorit të artit pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat dhe ndërhyrja konsiston në konsolidimin e shtresës së suvasë me murin, konsolidimi i bordurave me llaç, konsolidimin e shtresës së pelikulit me shtresën përgatitore dhe pastrimi i depozitimeve të blozave dhe kripërave që ndodhen në afresk.

Kisha e ”Shën Mërisë” mendohet të jetë ndërtuar në shekujt XI-XII, kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave–shpellë, periudhë e cila shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla, duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor.

Arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor. Mendohet të jetë një kishë heremitësh.

Pas derës hyrëse është një hapësirë tepër minimale, me dimensione 72×120 cm. Në të djathtë të kësaj hapësire gjenden shkallët e ngushta prej guri, të lyera me gëlqere, të cilat çojnë në hapësirën e sipërme.

Hapësira e sipërme ka një dysheme, e cila thyhet në tre nivele të ndryshme sipas terrenit shkëmbor, të cilat lidhen me shkallë. Në mes të hapësirës së sipërme, në faqen lindore shkëmbore gjendet absida e përshtatur në mënyrë shumë harmonike me terrenin.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.