Qafështamë, dyndje turistësh vendas e të huaj në parkun natyror

TIRANË, 9 korrik/ATSH/- Bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar të Qafështamës po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.

Ditët e fundit ky park, i cili ofron një mozaik natyror dhe kulturor, u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Durrës bën të ditur se ditët e fundit ka pasur dyndje turistësh vendas dhe të huaj në parkun e Qafështamës për të kaluar këto ditë të nxehta.

Turistët e apasionuar pas çiklizmit kanë shëtitur në masivin pyjor të parkut, në shpatet malore, si dhe u argëtuan në barin e lëndinave dhe vlerësuan ujin e veçantë të kroit të “Nanës Mretneshë”.

Parku Kombëtar i Qafështamës gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Mes një natyre të virgjër dhe të thyer, turistë vendas dhe të huaj e shohin si destinacioni i duhur për ecje nëpër shtigje, çiklizëm nëpër terrene të thyera dhe kamping.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.