Haradinaj: Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për vëllezërit Bytyqi

PRISHTINË, 9 korrik /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duke përkujtuar 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi tha se ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mban fajtor edhe sot Serbinë për mosndëshkimin e krimit.

Sipas Haradinajt Qeveria e Kosovës nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë.

“Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit. Duke u përkulur para veprës kulmore të tre Heronjve të Kosovës, Qeveria e vendit zotohet se nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë” tha ai. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.