Bashkia Korçë organizon kamp veror për 200 fëmijë

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Në vijim të traditës së krijuar tashmë, bashkia e Korçës edhe këtë vit ka organizuar një kamp veror në ambientet e parkut “Rinia” ku fëmijët e grupmoshave të ndryshme angazhohen në veprimtari të shumta dhe socializohen me njëri-tjetrin.

Rreth 200 vogëlushë të qytetit argëtohen dhe mësojnë përmes këtij kampi, i cili u ofron mundësinë për të shijuar një eksperiencë ndryshe gjatë verës.

Bashkia Korçë ua mundëson këtë të gjithë fëmijëve nga mosha 6-12 vjeç, duke u ofruar kënaqësinë të kalojnë ditët e nxehta të verës mes miqsh e shokësh.

Kampi veror është për fëmijët jo vetëm një mënyrë ndryshe për tu argëtuar dhe për t’i mbajtur të angazhuar dhe në veprimtari, edhe jashtë periudhës shkollore duke organizuar vizita në muzeume dhe ekskursione të ndryshme, por gjithashtu është një eksperiencë e larmishme dhe çlodhëse e ofruar falas nga bashkia Korçë dhe donatorë të ndryshëm.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.