Shkarkimi i Metës, Mesi: Mori vendim të njëanshëm

TIRANË, 8 korrik /ATSH A.ALLA/ – “Nga ana proceduriale Komisioni i Ligjeve e ka shqyrtuar kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe e ka gjetur atë të ligjshme”, u shpreh deputetja e Partisë Socialiste Senida Mesi gjatë një interviste televizive.

Mesi tha se, “në atë kërkesë janë evidentuar problematika ku ndër to janë cenimi i parimit të një Republike Parlamentare ku Presidenti i Republikës ka marrë më shumë kompetenca se i takon. Problematikë tjetër është që zgjedhjet si në nivelin lokal ashtu dhe në atë qendror duhet të bëhen me një periodicitet prej 4 vitesh secili. Një adresim tjetër nga ana e 55 deputetëve ka qenë dhe fakti që vendimi i Presidentit është marrë në një formë të njëanshme”.

“Këto janë disa nga pikat që Komisioni i Ligjeve ka marrë vendimin të cilën do e propozojnë në seancën e sotme parlamentare për aprovimin e një komisioni hetimor’, tha Mesi.

Ajo vijoi se, “në zgjedhjet e 30 qershorit prevaloi ligji dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Në këto zgjedhje për herë të parë në Republikën e Shqipërisë nuk janë partitë politike dhe liderët e tyre që ulen në tryezë për të vendosur mbi fatet e shqiptarëve, por është sovrani ai që vendosi”.

Mesi shtoi se, “Presidenti në këtë rast dekretoi një datë jo duke u nisur nga logjika e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, por dekretoi një datë duke u nisur nga gjithë afatet ligjore që përcaktojnë dy elementë Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor. Brenda afateve ligjore Presidenti ka në dorë të përcaktojë datën ekzakte të zgjedhjeve asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Shqipëria nuk ka zgjedhje të trefishta, Shqipëria ka dy pal zgjedhje, zgjedhje për Kuvendin dhe zgjedhjet vendore”.

“Në gjitha bashkitë e djathta nga ajo që vihet re sot është retorika politike dhe angazhimi maksimal i kryetarëve të bashkive të djathta dhe gjithë stafi i tyre për t’u angazhuar në politikën e madhe, në opozitën e madhe në pjesëmarrjen në protesta ndërkohë kanë lënë pas dore atë që populli i ka votuar për të ofruar shërbime në funksion të qytetarëve”, tha Mesi.

E pyetur mbi protestën e opozitës ditën e sotme Mesi tha se, “nëse një parti do të rrëzojë një tjetër parti në pushtet ka vetëm një mënyrë duke punuar në institucionet e ligjshme të Republikës së Shqipërisë dhe vetëm me votë dhe përkrahjen e popullit mund të rrëzojnë një kryeministër”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.