Reforma zgjedhore, Rama: Të vendosur për votën e emigrantëve dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore

TIRANË, 8 Korrik/ATSH-Maela Marini/ Vota e emigrantëve dhe depolitizimi i komisioneve zgjedhore janë dy çështje kryesore që do të adresohen me vendosmëri nga mazhoranca në komisionin për reformën zgjedhore.

Gjatë debatit në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e  Presidentit të Republikës, Kryeministri Edi Rama u ndal te raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit.

Rama tha se raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it ka pasqyruar me korrektesë një proces zgjedhor krejt anormal, ku duhet theksuar anormaliteti i sjelljes dhe shkelja e rëndë e Kushtetutës nga ana e Presidentit ka ndikuar në dreqosjen si s’ka më keq të procesit, i cili ishte për të ardhur keq edhe pa ‘salton mortale’ të Ilir Metës.

Lidhur me votën e emigrantëve, Rama siguroi se “emigrantët duhet ta kenë të drejtën e votës duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme dhe duan apo s’duan udhëheqësit e opozitës rrugore ne do ta përfshijmë votën e emigrantëve në kodin zgjedhor uroj edhe me dakordësinë e opozitës parlamentare”.

“Disekuilibri politik i administratës zgjedhore dhe nevoja për depolitizim të komisionit të votimit janë fakte të pakontestueshme të raportit. Disekulibri politik ishte reflektim i drejtpërdrejt i absurditetit të këtyre zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita kryesore, ndërsa politizimi i komisioneve është një fakt i njohur botërisht dhe i nënvizuar edhe në raportet e mëparshme të ODIHR-it. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Do të duan apo jo bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore, besoj edhe me mbështetjen e e opozitës parlamentare”, tha Rama.

Lidhur me mungesën e gjerë e  besimit të publikut në procesin elektoral, të nënvizuar në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, Rama tha se “është një fakt i pakontestueshëm por ka ardhur si pasojë e agresionit politik dhe kërcënimit të vazhdueshëm të dhunës mbi krejt procesin”.

“Padyshim edhe për shkak të ndërhyrjes së dhunshme të Ilir Metës mbi proces me antidekretin e tij skandaloz. Si mund të mos cenohej besimi te zgjedhjet pas shantazhit për mosmbajtjen e tyre që dekurajoi dhe mpiu edhe vetë strukturat tona në territor le më simpatizantin politik apo qytetarin e pavendosur? Si mund të ruhej i patronditur besimi te ky proces pas rrëmujave logjike dhe fizike që provokoi Ilir Meta me zhdukjen e befasishme apo rishfaqjen e datës së zgjedhjeve, si një provim antikushtetues vjeshte?”, tha Rama.

Rama tha se misioni i ODIHR-it vëren se ka pasur probleme me cilësinë e procesit të verifikimit të adresave, që kërkon vëmendjen e komisionit të reformës zgjedhore për çdo përmirësim të mundshëm.

“Por vetë  raporti u shpreh qartë se në masë të madhe kjo është shkaktuar nga fakti se listat e zgjedhësve që u afishuan fillimisht, u hoqën nga bashkitë e opozitës në mes të procesit zgjedhor. Në inercinë e revolucionit imagjinar, kryebashkiakët revolucionarë u sulën ndaj shkollave dhe kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të verifikuar të dhënat e tyre”, tha Rama.

Po ashtu një tjetër konstatim i raportit paraprak të OSBE/ODIHR-it, i cili komentohet edh nga opozita ka të bëjë me faktin se “KQZ e interpretoi ligjin zgjedhor në mënyrë kreative”. “E vërtetë edhe kjo, po aq sa edhe fakti se përballë dëshpërimit kreativ të frontit të së keqes së këtyre zgjedhjeve KQZ-së nuk i mbetej gjë gjë tjetër veçse të rezistonte duke mbrojtur frymën e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për të shpëtuar zgjedhjet nga shkatërrimi i paralajmëruar”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.