Meta uron Mitsotakis: Marrëdhëniet mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë

TIRANË, 8 Korrik /ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta uroi sot kryeministrin ri të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

“Kënaqësi t’i uroja sot gjatë një bisede telefonike, shumë suksese, kryeministrit të ri të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Shpresëplotë se marrëdhëniet mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të dy popujve tanë”, u shpreh Meta.

“Progresi i Greqisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje dhe për të ardhmen e përbashkët europiane”, thekson Presidenti Meta.

Lideri i partisë ”Demokracia e re”, Qiriakos Micotaqis, fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të zhvilluara dje në Greqi, mori sot detyrën e kryeministrit.

Ai u betua në prani të presidentit të Republikës Helenike, Prokopios Pavlopulos.

Gjashtë parti hynë në parlamentin e ri grek, bazuar në rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku bie në sy mungesa e partisë së të djathtës ekstreme ”Agimit i artë”.

”Demokracia e Re” arriti një fitore historike, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 7 korrikut në Greqi, pas 90,85% të votave të numëruara.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.