Meta i çoroditur prej frikës nga drejtësia, shëmbëlltyrë e destruktivitetit opozitar në Presidencë

TIRANË, 8 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Shkarkimi i Presidentit të Republikës është një lëvizje me detyrim përcaktim i këtij Kuvendi”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë debatit për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metës.

Rama tha se “Ilir Meta na jep çdo ditë një arsye për t’u ndjerë të keqardhur për të si njeri, të neveritur si politikan dhe të alarmuar si mbajtësi i vulës së lartë që ka humbur të drejtën të jetë”.

“Kur 30 qershori i ka mbijetuar agresionit më të egër dhe të turpshëm antidemokratik kundër zgjedhjeve dhe objektivit të integrimit të Shqipërisë, Ilir Meta do të ishte politikisht për ne, një kundërshtar që nuk duhet ndaluar të gabojë më tutje. Ashtu i dizekuilibruar prej frikës nga drejtësia, i çoroditur pas disfatës, hakërryes dhe qesharak në pafuqinë e tij, ai është sot një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse, pasi me atë lloj figurine edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas 2 vitesh. Ai është shëmbëlltyrë kuptimplotë e destruktivitetit opozitar në presidencë, por ne jemi të ndaluar ta përdorim për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh”, tha Rama.

Presidenti këtë herë, sipas Ramës, “ka tejkaluar edhe vetveten bashkë me cakun e fundit të mundësisë tonë për ta duruar”. “Ka luajtur deri në fund me zjarrin dhe ka bërë gjithçka me planin e shëmtuar, të egër, të paturpshëm dhe të pafalshëm duke ndërhyrë në mes të fushatës brutalisht me antidekretin qesharak, si molotov për të ushqyer zjarrin në fikje të protestave dhe që nxiti përhapjen e dhunës në territoret e bashkive të opozitës dhe frymëzoi akte vandalizmi ndaj infrastrukturës zgjedhore si djegia e shkollave”, tha Rama.

Sipas Ramës, “Meta u kthye nga një president problematik i Shqipërisë në tribunin e lëvizjes Haxhi Qamiliste për zgjedhjet, duke fyer ndërkombëtarët.

“I është vërsulur shtetit përsipër si të ishte një tank armik”, tha Rama duke u shprehur krenar dhe i palëkundur në këtë zgjedhje të drejtë dhe të qartë për shkarkimin e tij, ku maxhoranca do të respektojë deri në fund Kushtetutën, ligjin shtetin. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.