FOKUS – Czaputowicz: Pa BP procesi i integrimit në BE i papërfunduar

VARSHAVË, 8 korrik /ATSH-PAP/ – Franca është pengesë për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që ky proces nuk do të jetë i plotë pa bashkimin e tij me BE-në, deklaroi sot ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz në një intervistë për një televizion publik polak.

“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, prej disa kohësh Franca ka qenë mjaft ngurruese ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Kjo është shkaktuar nga frika, nga klaustrofobia e Francës dhe mbyllja e saj, pavarësisht asaj që thuhet se është e hapur ndaj zgjerimit të  BE-së ose pranimit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.

“Le të jemi të sinqertë, këto janë vende europiane dhe është detyra jonë t’i pranojmë ato në BE. Pa u bashkuar me BE-në procesi i integrimit europian nuk do të jetë i përfunduar”, shtoi Czaputowicz.

I pyetur për arsyen e kundërshtimit të Francës, Czaputowicz u përgjigj se pas kësaj qëndronte opinioni publik francez.

“Francezët janë kundër dhe Macron në njëfarë mënyre plotëson këtë kërkesë sociale, pavarësisht faktit se kjo nuk është në interes të BE”, deklaroi ai.

Zyrtari i lartë polak tha gjithashtu se Polonia ndodhej mes vendeve kryesore në favor të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.