Siguria ushqimore, AKU në një javë 1954 inspektime dhe 21 gjoba me vlerë 6.8 milionë lekë

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontrolle në gjithë vendin për garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit përgjatë kësaj jave ka kryer 1954 inspektime. Nga këto inspektime janë vënë 21 gjoba me vlerë 6.8 milionë lekë dhe janë asgjësuar 18 ton produkte të papërshtatshme për konsum. Gjithashtu AKU ka ndërprerë dhe aktivitetin e 6 subjekteve.

Në Shkodër janë vendosur dy gjoba nga AKU me vlerë 190 mijë lekë dhe janë bllokuar dhjetra kilogramë mish të pasigurt për konsum. Katër subjekte në Fier, Pogradec dhe Voskopojë u gjobitën me 1.2 milionë lekë për kushte të papërshtatshme higjeno sanitare.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se, do të vijojë kontrollet rigoroze, për të garantuar zbatimin e ligjit dhe për të shmangur çdo praktikë mashtruese në dëm të konsumatorëve nga të gjithë operatorët e biznesit që tregtojnë produkte ushqimore me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik veror. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.