Shalsi: Kryebashkiakët e opozitës të lirojnë zyrat, do të përballen me penalitete

TIRANË, 5 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Kryebashkiakët e rinj të zgjedhur pas një procesi të paqtë e të rregull do të hyjnë në zyrat e tyre, sepse ligji i ndalon atyre ekzistuesve që të qëndrojnë në zyrë përtej çka i lejon mandati”, deklaroi sot ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

I ftuar në një studio televizive, Shalsi tha se shpreson që kryebashkiakët e opozitës të kuptojnë ligjin”. “Ndiej keqardhje për ta, sepse u bënë kurban të një politike qorre, një rruge pa krye ku i futën të tjerët. Një pjesë e mirë e tyre mund të kandidonin e të kishte një garë dhe mund të vendosnin qytetarët, por fatkeqësisht vendosën të bojkotojnë zgjedhjet duke u hequr mundësinë të garojnë”, – tha Shalsi.

Sipas tij, “ata duhet të paguajnë çmimin e lartë të një politike të verbër që katërshja e futi në qorrsokak, por nuk ka asnjë shans që të ushtrojnë detyrat përtej çka i lejon ligji”.

“Shpresoj t’i thërrasin arsyes. Nuk mund të uzurpojnë karriget, ndryshe do të përballen me ligjin. Ligji është i ashpër dhe do të ndeshen me penalitetet që parashikon Kodi Penal. Është e kotë të vazhdojnë të ndjekin në mënyrë të verbër ata dështakë që i futën në rrugë pa krye”, – tha Shalsi.

Ai theksoi se “ne jemi të gatshëm për dialog me opozitën”. “Kryeministri ritheksoi në 1 korrik atë që e kishte thënë më parë verbalisht, por edhe me shkrim pasi janë një numër letrash drejtuar kryetarit të opozitës për dialog shumë përpara datës së zgjedhjeve. Në një kohë kur kishte kërkesa për dialog ne u ndeshëm me kokëfortësinë dhe absurditetin e kryetarit de jure të PD-së”, – tha Shalsi.

Ai tha se “kryeministri Rama është i hapur për t’u ulur dhe diskutuar, por jo për Reformën në Drejtësi, pasi ajo do të ndjekë rrugën e saj”.

Lidhur me votat e pavlefshme në zgjedhjet e 30 qershorit, Shalsi tha se “unë i kam lexuar si një shprehje e një pakënaqësie në lidhje me qeverisjen, me ne si mazhorancë”. “Jemi shumë të vëmendshëm për ta lexuar drejt votën e 30 qershorit. Besoj se është një kategori që nuk ndoqën thirrjen absurde të opozitës për të bojkotuar, por ishte një mesazh për ne, për të bërë më shumë dhe më mirë, ndaj duhet të jemi të vëmendshëm për ta lexuar si duhet mesazhin e atyre që e shprehën qartë”, – tha Shalsi.

Ndërkohë qëndrimin e Presidentit Meta, Shalsi e konsideroi si totalisht të pozicionuar hapur si opozitar”. “Ai është krejtësisht i njëanshëm dhe nuk përfaqëson më unitetin kombëtar, tashmë ai është zbuluar dhe nuk maskohet më por përfaqëson opozitën. Po ashtu ka një pozicion të hapur edhe kundër Reformës në Drejtësi”, – shtoi ai.

Lidhur me protestat e opozitës, Shalsi tha se “rruga qorre ku kanë hyrë është e destinuar të dështojë”. “Kjo ka qenë arsyeja pse protestat e tyre kanë ardhur gjithë kohës duke u tkurrur”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.