Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, asete në ndihmë të fermerëve

TIRANË, 5 korrik /ATSH/- Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTB) janë një aset i rëndësishëm në ndihmë të fermerëve shqiptarë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, dhe zv.ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote zhvilluan një vizitë pune në Fushë Krujë për të parë nga afër këtë qendër, e cila ka një veprimtari të gjerë dhe ofron shërbime të larmishme për fermerët.

“Përgatitja e paketave teknologjike për kulturat bujqësore dhe mbarështimin e kafshëve; studime të ndryshme për tokën dhe ujërat; testimi i inputeve të reja në kulturat bujqësore dhe menaxhimi i integruar i fermës janë disa prej shërbimeve që ofron kjo qendër”, – u shpreh ministri Çuçi.

Ndërsa theksoi se, synimi është t’i çojmë në një tjetër nivel QTB-të në mbarë vendin, duke rritur gamën e shërbimeve ndaj fermerëve dhe gjithashtu për të bërë të mundur që këto qendra t’u përgjigjen sfidave me të cilat ndeshet sot sektori bujqësor dhe zhvillimi rural në Shqipëri. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.