Kushi: Të hapur për dialog me opozitën, në 30 qershor PS konfirmoi rezultatin e 2017

TIRANË, 5 korrik/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi deklaroi sot se “në zgjedhjet e 30 qershorit PS konfirmoi rezultatin e zgjedhjeve të 2017”.

E ftuar në një studio televizive, Kushi tha se “procesi zgjedhor në 30 qershor ishte i rregullt dhe korrekt”. Rezultati zgjedhor në 30 qershor na bën më të përulur, tha ajo. “Ne nuk jemi të lumtur që opozita nuk hyri në zgjedhje, por nuk ishte zgjedhja jonë”, – tha Kushi.

Ajo theksoi nevojën e dialogut me opozitën, duke nënvizuar se “PS është e gatshme për dialog”. “Të vijnë në dialog pastaj dialogu do të vendosë se cilat do të jenë hapat e mëtejshme. Pa dialog nuk arrijmë asgjëkundi, nëse opozita nuk pranon”, – tha Kushi.

Deputetja socialiste tha se e rëndësishme është që kryebashkiakët e rinj të fillojnë sa më shpejt nga puna dhe të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit.

“Nuk do të shikoni më ato shkarkimet masive. Ne jemi të vendosur për këtë, nuk do të bëjmë shkarkime masive por një analizë të hollësishme dhe çdo lëvizje nëse do të ketë do të jetë e argumentuar, e bazuar në fakte bazuar në performancën e gjithsecilit, por jo sipas përkatësisë politike”, – tha Kushi.

Sa i takon veprimit politik të mazhorancës në vijim, Kushi tha se “ne jemi të vendosur të vazhdojmë me reformat që kemi nisur, reformën zgjedhore dhe reformën në Drejtësi”.

“Ne do të vazhdojmë punën dhe mjaft e rëndësishme është ekonomia ndaj e gjithë axhenda jonë paszgjedhore do të jetë e fokusuar edhe tek ekonomia”, – tha Kushi.

Sa i takon përgjimeve dhe akuzave për shitblerje të votave në zgjedhjet e mëparshme, Kushi tha se “në ato përgjime nuk kam parë asnjë eksponent të PS-së që të diskutojë për shitblerje votash”. Sipas saj, “kjo çështje duhet të hetohet dhe të shkojë deri në fund”.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.