Ahmetaj: Dialog pa kushte me opozitën

TIRANË, 5 korrik/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj shprehu bindjen sot se herët ose vonë do të ketë dialog me opozitën, por kërkoi që opozita të mos vërë kushte.

“Jam i bindur se ka vend për dialog, ndoshta jo herët, por jo edhe aq vonë, do ketë dialog. Do bëhet me se s’bën. Do ulen në dialog PD dhe LSI, sepse Shqipëria nuk është as e Monikës dhe as e Bashës, por është mbi të gjithë. PD nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut me PS dhe do ulet pa kushte. Kërkesës së vazhdueshme të Ramës për dialog mund të mos i përgjigjen tani, por një ditë do t’i përgjigjen”, – tha Ahmetaj.

Sa i takon dialogut politik, Ahmetaj ftoi opozitën që të ulet dhe të mendojë si Shqipëria të hapë negociatat dhe për përmirësimin e Kodit Zgjedhor në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODOIHR-it, por mendon se nuk shkohet në tryezën e dialogut me kushte.

I ftuar në një studio televizive, Ahmetaj përjashtoi mundësinë për zgjedhje të parakohshme. “Nuk shoh asnjë arsye për zgjedhje të parakohshme. Jo, nuk ka në horizont zgjedhje të parakohshme, – tha Ahmetaj, ndërkohë që deklaroi se, – PS është një parti e shëndetshme dhe është e unifikuar në mënyrë të padiskutueshme fare”.

Më vjen mirë që në 30 qershor nuk kishte skenar dhune, tha Ahmetaj, duke shtuar se “në dijeninë time PD është kërcënuar nga SHBA që do të quhet një organizatë e dhunshme dhe kjo nuk është thjesht presion, por do të thotë dalje jashtë sistemit, deri në sekuestrim asetesh”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.