Platforma “cultureticketsalbania.al”, nis funksionimin në shtator biletaria online

TIRANË, 4 korrik/ATSH/- Që prej muajit shtator do të nisë funksionimin platforma cultureticketsalbania.al, me anë të cilës turistët, veçanërisht ata të huaj mund të presin biletat online për të vizituar monumentet e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Kështu deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një interpelancë me operatorët turistikë Biletarinë Online, projektin më të ri të MK.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se “biletaria online është një nga risitë e Ministrisë së Kulturës, i bashkohemi një tjetre që tashmë ka filluar ajo biletarisë elektronike.Ju e dini që në 10 sitet e trashëgimisë kulturore e kemi në funksionim e biletarisë elektronike, e cila ka sjellë një transparencë më të madhe një shfrytëzim më të mirë dhe një monitorim më të mirë nga ana e ministrisë”.

“Tani kemi kaluar në një fazë më të avancuar, kjo është vërtet një platformë shumë e njohur në të gjithë botën ajo e aksesimit të biletarisë edhe online, por në Shqipëri kemi arritur ta realizojmë vetëm tani. Jemi krenarë që kemi arritur në këto 10 site ku kemi sistemi i biletarisë elektronike që të mund ta zgjerojmë me biletarinë online”, – nënvizoi Margariti.

Ministrja u shpreh se “kemi marrë hapa konkretë dhe kemi nënshkruar një marrëveshje me operatorët. Deri tani i kemi dhënë jetë platformës “Cultureticketsalbania.al”, e cila shumë shpejt brenda muajit shtator do të kthehet në një dritare ku mund të bëhet blerja online e biletave”.

Sipas saj, kjo platformë ka lindur më shumë nga kërkesat tuaja si operatorë, por edhe nga të huajt, që vizitojnë vendin tonë.

“Duhet të kemi parasysh, vijoi ajo, që vizitorët e siteve të trashëgimisë kulturore pothuajse 50% e turistëve janë të huaj dhe detyrimisht e kanë të nevojshme të marrin informacione si për destinacion ku po shkojnë, si dhe informacione jo vetëm turistike, por edhe historike”, – tha Margariti.

Ministrja tha se “platforma është ngritur tashmë, por blerja online e biletës e cila është një proces që ka filluar dhe ku kemi kryer 70% të punës për realizimin e saj, efektive të këtij shërbimi i cili do të jetë e disponueshme në shtator”.

“Ajo çfarë kemi të nevojshme është diskutimi për çmimin e biletës. Kemi ngritur një grup pune për ta bërë këtë shërbim të aksesueshëm në site. Çmimi i biletës duhet të jetë më i ulët dhe të ketë tarifa lehtësuese për biletën online. Kishat, të cilat janë të mbyllura dhe nuk janë të aksesueshme nuk janë pjesë e kësaj platforme vetëm për faktin thjeshtë që sistemi të jetë sa më shpejt operativ i jemi bashkuar siteve ku bileta elektronike është një shërbim që i ofrohet”, – theksoi Margariti.

Ministrja tha se “janë 10 site, tre parqe arkeologjike Apolonia, Shkodra dhe Butrinti, kemi muze e kala këto janë sitet e disponueshme, kjo nuk do të thotë se nuk do të shtohen të tjera. Rrjetin e kemi tashmë gati është një shërbim që mund ta fillojmë ta testojmë më shpejt. Hapi tjetër do të jetë që të shtrihen edhe në monumente të tjera”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.