Kush guxon të pengojë Reformën në Drejtësi, do marrë përgjigjen frontale të aleancës strategjike Shqipëri-SHBA-BE

TIRANË, 4 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Reforma në Drejtësi nuk negociohet vetëm zbatohet”, – deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Duke marrë fjalën në Kuvend, gjatë diskutimit të dekretit të Presidentit për kthimin për shqyrtim të ligjit “Për shërbimin përmbarimor privat”, Balla tha se ky Kuvend sot duhet ta refuzojë këtë dekret të Presidentit aktual të Republikës.

“Presidenti nuk heziton dhe veçse u kujton shqiptarëve se është pjesë e një grupi i cili bën gjithçka për të penguar reformën në drejtësi. Edhe kjo përpjekje sot vjen për të penguar hyrjen në fuqi, të ligjit të fundit të paketës të Reformës në Drejtësi. Ai nuk ka gjë në dorë veçse të pengoj me ditë e javë një ligj shumë të rëndësishëm, pjesë e paketës së reformës  në drejtësi që u miratua këtu në sallë edhe me votat tuaja”, – iu drejtua sot Balla, deputetëve të opozitës në Kuvend.

Balla siguroi se kush guxon të pengojë sado pak Reformën në Drejtësi do të marri përgjigje.

“Ne do t’i hapim rrugën një hetimi të plotë të një shkelje të rëndë të Kushtetutës nga Presidenti. Ajo zyrë duhet liruar urgjentisht për të rivendosur autoritetin e Presidentit të Republikës në kushtet e respektimit të Kushtetutës, por edhe një figurë që duhet ta bashkojë Shqipërinë dhe jo ta shndërrojë presidencën në një seli të asaj që ka mbetur nga opozita pas 30 qershorit”, – tha Balla.

Ai ftoi deputetët të votojnë kundër kësaj përpjekje prej Don Kishoti të Ilir Metës, për të penguar rrugën e Shqipërisë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.