Balla: Në 30 qershor konfirmuam rezultatin e padiskutueshëm të 2017

TIRANË, 4 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Në 30 qershor, Partia Socialiste ka marrë të njëjtën votë popullore që kemi marrë në 2017 dhe kjo rikonfirmon se mandati i këtij Kuvendi dhe kësaj shumice është tejet legjitim”, – deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Sipas Ballës, kishte përpjekje për të shpikur Fake News lidhur me tabelat përfundimtare në çdo bashki. “I ftoj t’i marrin në KQZ, nuk ka asnjë bashki të vetme ku ka një votë të kontestuar”, – tha Balla, ndërsa i konsideroi zgjedhjet e 30 qershorit si festë e demokracisë, ku fitoi e drejta kushtetuese e çdo shqiptari.

Balla tha se “pjesëmarrja në votime dhe rezultati i zgjedhjeve konfirmoi fitoren e padiskutueshme të vitit 2017”.

“Keqardhje për kë nuk ka mundur të votojë dhe respekt gjithashtu sepse e drejta iu garantua. Një falënderim për SHBA, BE dhe OSBE dhe çdo partner të Shqipërisë që bëri gjithçka mundi për ta mbështetur dhe vijuar kursin properëndimor, proeuropian, progresist të Shqipërisë”, – tha Balla.

Ne nuk kemi fituar vetëm betejën zgjedhore të radhës për mandatin 4-vjeçar, tha ai, por  kemi fituar luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve në Shqipëri.

“Prej 30 qershorit, këtu në këtë Kuvend nuk do të ketë kurrë bojkot, djegie mandatesh, parti molotovësh, fronte armiqësore politike dhe kundër të drejtës së popullit për të zgjedhur. Nga sot pësimi i atyre që guxuan të marrin këtë aventurë, do të jetë edhe për të gjitha partitë politike shqiptare, përfshirë dhe ju këtu që të mësoni nga gabimet e tyre”, – tha Balla.

Nga sot, vijoi ai, “ne, vetë fitimtarët e këtij 30 qershori e kemi kuptuar mirë se nuk fituam ngaqë kemi bërë vetëm punë shumë të mira, por sepse treguam vendosmëri për të respektuar shtetin me rregulla, ligje dhe Kushtetutë”.

“Kurrë më pas këtij 30 qershori nuk do të ketë më një parti politike që të guxojë të pengojë shqiptarët të shprehin të drejtën e tyre, të votojnë, të zgjedhin dhe të zgjidhen. Në 30 qershor nuk u shënua asnjë incident krahasuar edhe me zgjedhjet e mëparshme. Kujtoj 2013 kur kishte edhe të vrarë. Zemërata popullore në këtë vend ekziston vetëm në ëndrrat e Bashës, Berishës, Kryemadhit dhe Metës. Shqiptarët zgjodhën të votojnë të qetë duke shprehur me votë vullnetin e tyre. Zgjedhjet e 30 qershorit treguan se dhuna dhe molotovët, ishin të drejtuara dhe organizuara nga opozita e rrugës jo nga një opozitë e re parlamentare që meriton respekt dhe dorën e shtrirë për të bashkëpunuar në dobi të vendit”, – tha Balla.

Ai tha se shqiptarët e kundërshtuan dhunën e molotovin, pavarësisht kërcënimeve disamujore prej shkurtit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.