Punësimi dhe pagat, në rritje gjatë tremujorit të parë të vitit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje në tremujorin e parë të vitit 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, norma e papunësisë zbriti në nivelin 12,1%, ndërsa paga mesatare shënoi një rritje vjetore prej 4,9%. Kjo ecuri krijon premisa për një rritje më të shpejtë të inflacionit të gjeneruar në vend, duke ndihmuar kthimin e inflacionit në objektiv.

“Politika monetare lehtësuese është harmonizuar me konsolidimin fiskal dhe ka krijuar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi, likuiditet i bollshëm, dhe prime rreziku në rënie. Stimuli monetar ka reduktuar kostot e financimit të sektorit privat, ka mbështetur rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve, si dhe ka krijuar premisa për një ecuri të qetë të kursit të këmbimit. Ky i fundit, ka ndjekur një trend të lehtë mbiçmues gjatë tremujorit të dytë, duke qenë në linjë me sjelljen e tij sezonale. Megjithatë, të dhënat e tregtisë së jashtme dhe funksionimi i qetë i tregut valutor sugjerojnë se kohëzgjatja dhe intensiteti i forcimit të kursit të këmbimit do të mbeten të kufizuara. Për rrjedhojë, edhe efekti frenues i tij në inflacion do të vijë drejt reduktimit”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.