Peza: Halli i Ilir Metës është Reforma në Drejtësi

TIRANË, 3 korrik/ATSH-Maela Marini/ “Halli i vetëm i Presidentit të Republikës është Reforma në Drejtësi dhe kjo po faktohet çdo ditë”, deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza.

Peza tha se “tashmë që zgjedhjet mbaruan, Ilir Meta vetëm sot doli 4 herë dhe foli vetëm për Reformën në Drejtësi”. “Ky është halli i tyre, institucionet e reja të drejtësisë dhe zinxhiri i sistemit të ri që po ngrihet. Presidenti i Republikës nuk do të fshihet më pas hallit personal në zyrën e Presidentit të Republikës që presupozohet të jetë e gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Peza tha se “qasja e Metës nuk është presidenciale por partiake”. “Nëse do informacion, Ilir Meta nuk ka pse e hedh si kërkesë në Facebook, pasi është kreu i një institucioni shumë të rëndësishëm, ka administratë, zyrë protokolli, këshilltarë, mund ta hartonte letrën, ta dërgonte e të informohej. Por fakti se në 4 orë bën 4 postime për të njëjtën çështje tregon se ky nuk është më hall i Kreut të Republikës por është halli personal i Ilir Metës, që sillet në mënyrë jopresidenciale dhe joinstitucionale”, tha Peza.

Peza tha se “Ilir Meta në vijimësi është sjellë si kreu i një partie politike dhe jo si kreu i shtetit”. “Ishin rreth 800 mijë qytetarë të Republikës që votuan dhe që ai nuk i respektoi në ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që është edhe Presidenti i tyre”, tha Peza.

Peza tha se “Meta e futi veten në histori si i pari President që nuk shkon të votojë”. “Ai dha shfaqje të padenja edhe për një kryeplak fshati. Problemi dhe halli personal i Presidentit të Republikës duhet të mbetet brenda tij dhe jo të shpaloset në konferenca për shtyp të çartura, të çarkorduara dhe të çakërdisura si dje”, tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.