TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për përcaktimin e masave për mbrojtjen e fëmijëve nga aksesi në materiale me përmbajtje të dëmshme dhe/ose të paligjshme në internet, sipas përcaktimeve të nenit 27, të ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”.
Në zbatim të këtij vendimi, përkufizimet e mëposhtme kanë këto kuptime:
– “Kontroll i aksesit”, metoda për të parandaluar aksesin e pakufizuar ndaj përmbajtjes së paligjshme dhe/ose të dëmshme në internet nga përdoruesit nën moshën 18 vjeç;
-“Sipërmarrës”, çdo person fizik, juridik, i regjistruar sipas legjislacionit në fuqi, i cili ofron rrjete të komunikimeve elektronike ose shërbime të komunikimeve elektronike sipas përcaktimit të bërë në legjislacionin për komunikimet elektronike;
– “Përmbajtje e paligjshme”, çdo pamje, imazh dhe material tjetër, që qarkullon në internet, dhe që, sipas legjislacionit në fuqi, është i ndaluar dhe pasi përbën vepër penale.
– “Përmbajtje e dëmshme për fëmijën”, sipas përkufizimit të bërë në legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
– “Ofruesi i shërbimeve mediatike”, çdo ofrues, sipas përkufizimit të bërë në legjislacionin në fuqi për mediat audiovizive.
Institucionet e arsimit parauniversitar, publike ose private, sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe çdo institucion që mundëson dhe shërben aksesin në internet për fëmijë, në të gjitha mjediset e tyre, ku ofrojnë shërbimin e internetit, duhet të zbatojnë kriteret teknike, si më poshtë vijon:
- a) Të aplikojnë kontrollin e aksesit mbi shërbimin e internetit dhe, nëse verifikohet se ka përmbajtje të dëmshme dhe/ose të paligjshme, të mos lejohet aksesimi i faqes nga fëmijët dhe të rriturit, kur ka fëmijë në të njëjtin mjedis ku ofrohet ky shërbim;
- b) Të përdorin kontrolle aksesi, si në shkronjën “a”, të kësaj pike, për sipërmarrësit, nëpërmjet lokalizimit të pajisjeve portabël, të cilat ofrojnë akses në internet për fëmijët, kur ato përdoren në këto institucione.
- Ofruesit e shërbimeve mediatike, në çdo rast, sigurojnë marrjen e masave për ndalimin e publikimeve me përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për fëmijët, sipas këtij vendimi dhe ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
- Sipërmarrësit janë të detyruar të bllokojnë menjëherë çdo faqe/material me përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për fëmijët në internet, që publikohet në portalin e bllokimit të faqeve të paligjshme të administruara nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike. Sipërmarrësit kanë detyrimin që të ofrojnë mundësitë teknike për prindërit dhe institucionet arsimore të lartpërmendura, në mënyrë që ata të kenë mundësinë e kontrollit të aksesit për fëmijët.
Në subjektet tregtare, që ofrojnë shërbimin e internetit për të tretë ose lojëra on-line, ndalohet hyrja e fëmijëve nën moshën 14 vjeç, të pashoqëruar nga, të paktën, njëri prej prindërve të tyre, kujdestari apo i afërm madhor, me lidhje të afërt familjare me fëmijën. Ky detyrim afishohet në mënyrë të dukshme në hyrje të subjektit tregtar që ofron shërbimin e internetit për të tretë ose lojëra on-line.
Në këtë rast prindi, kujdestari i fëmijës apo i afërmi që shoqëron fëmijën, nënshkruan, para se t’u ofrohet shërbimi, formularin tip, që përcaktohet nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës. Në rast se nuk nënshkruhet ky formular, fëmijës nuk i ofrohet shërbimi i internetit ose i lojërave on-line.
Për fëmijët deri në moshën 18 vjeç shërbimi i internetit ofrohet vetëm në kompjutera që respektojnë kriteret teknike të pikës 4, të këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës shqyrton çdo raportim nga të tretë, çdo rast të konstatuar gjatë veprimtarisë së vet lidhur me faqe/materiale me përmbajtje potencialisht të paligjshme dhe/ose të dëmshme për fëmijët në internet dhe,:
– në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, merr masat përkatëse për bllokimin e tyre, në rast konstatimi të publikimeve me përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për fëmijët nga ofruesit e shërbimeve mediatike;
– në bashkëpunim me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, merr masa për bllokimin e faqeve, në rastet kur verifikohet se faqet/materialet janë me përmbajtje të paligjshme dhe/ose të papërshtashme për fëmijët në internet dhe i publikon ato në portalin për bllokimin e faqeve me përmbajtje të paligjshme, të administruar nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në rastet e përcaktuara në pikën 7, të këtij vendimi, merr masa për referimin e rastit pranë strukturave vendore për mbrojtjen e fëmijës, sipas legjislacionit në fuqi.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës vendos në dispozicion linja aksesi për fëmijët dhe publikun, vetë ose në bashkëpunim edhe me organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, me qëllim raportimin e materialeve të dëmshme ose të paligjshme për fëmijët në internet apo rasteve të tjera të abuzimit me fëmijët, nëpërmjet:
- a) mjeteve të komunikimit telefonik;
- b) raportimeve on-line në faqe web-i të dedikuara.
Ministri përgjegjës për fushën e arsimit dhe ministri që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës, brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përcaktojnë me udhëzim të përbashkët listën e veprimeve që ndërmarrin strukturat arsimore, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes së fëmijës, në rastet kur në mjediset e institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, konstatohet se një fëmijë është duke aksesuar përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për moshën e tij.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /j.p/
