KE refuzon kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave me Shqipërinë

TIRANË, 3 Korrik /ATSH/ -Komisioni Europian ka refuzuar kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë.

Lajmi është konfirmuar për ATSH-në nga zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke sqaruar se sipas KE-së “në situatën aktuale, rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen”.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, ka deklaruar KE.

Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Europian, ka paraqitur dhe argumentet e Parlamentit të tij për këtë kërkesë që përmblidhen në tre pika.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.