KE për ATSH: Nuk pezullohen vizat për Shqipërinë

TIRANË, 3 korrik /ATSH-Gjergji Mima/ Pas kërkesës së marrë nga Holanda, Komisioni Europian sqaron për ATSH se në situatën aktuale rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave me Shqipërinë nuk plotësohen.

Zëdhënësja e Komisionit Europian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Tove Ernst konfirmoi sot për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni arriti në përfundimin se në situatën aktuale rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen”.

Ernst deklaron për ATSH se, “Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”.

Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, kërkesë e cila u rrëzua sot nga KE.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.