Faza e dytë e investimeve e rikthen Tamarën në aset të çmuar të turizmit kombëtar

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ – Tamara është një nga perlat e Alpeve Shqiptare ku bukuria natyrore të merr sytë. Ajo po kthehet në burimin më të fuqishëm ekonomik për 2 mijë banorët e saj dhe një aset i çmuar i turizmit kombëtar.

Investimi në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV: “Zhvillimi i Alpeve dhe Zonave Bregdetare” që bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës (CEB), aktualisht po punon për restaurimin e infrastrukturës së përgjithshme të kësaj zone duke sjellë një rimodelim autentik të rrugëve, fasadave të shtëpive dhe veprave të artit që i shërbejnë rigjallërimit të turizmit malor.

Qeveria ka një projekt të qartë për turizmin në këto treva. Vetëm nga ndërtimi i rrugës dhe ndërhyrjet e bëra në Tamarë vitin e fundit, impakti ka qenë i menjëhershëm, me shumëfishim të fluksit të vizitorëve. Rilindja Urbane i ka rikthyer Tamarës dhe familjeve të saj shpresën për t’i shndërruar bukuritë natyrore në pasuri për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Faza II e projektit fokusohet në rehabilitimin e qendrës së Tamarës dhe rikonstruksionin e  rrugës Vermosh -Doganë, mbrojtjen lumore dhe të urës mbi përroin e Budacit.

Aktualisht projekti po punon në; veshjen e fasadave me gurë për më shumë se 1300 m2, ndërtimin e çative 1100 m2, shtrimin e sheshit 1000 m2, 1500 m3 mure me rrjetë gabion dhe ndërtimin e bazamentit të urës mbi përroin e Budacit.

Itinerari Shkodër-Tamarë-Vermosh drejt Malit të Zi dhe anasjelltas në Masterplanin e Alpeve kategorizohet si pjesë e “Portave të Shërbimeve”. Masterplani i Alpeve është dokumenti strategjik për zhvillimin e integruar të rajonit të Alpeve i miratuar në vitin 2018.

Objektivi kryesor i këtij dokumenti është planifikimi i zhvillimit të integruar të rajonit në tërësi për 15 vitet e ardhshme për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.

e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.