Dedja: Vendimi i KE pritej, rënie të kërkesave për azil dhe veprave penale nga shqiptarët

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Zv/ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja, deklaroi sot se nuk ekzistonte baza për kërkesën e Holandës për aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm të lëvizjes pa viza me Shqipërinë. Madje shtoi ai, ka pasur rënie të kërkesave për azil dhe rënie të veprave penale të kryera nga shtetas shqiptarë në Holandë

Në një intervistë televizive, Dedja u shpreh se pritej vendimi i Komisionit Europian pasi, “nuk ekzistonte baza për kërkesën për aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm të lëvizjes pa viza”.

Dedja u shpreh se, “Komisioni Europian e konfirmon që në çështjet si emigracioni nga Shqipëria me kërkesat e pabazuara për azil, apo krimi me origjinë shqiptare në Holandë, në të dyja këto fusha nuk ka rritje që të justifikojë  aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të vizave”.

Përkundrazi, shtoi Dedja, “ka përmirësim, ka rënie. Rënie të kërkesave për azil, rënie të veprave penale të kryera nga shtetas shqiptarë. Sikurse ka një forcim të bashkëpunimit midis autoriteteve tona ligjzbatuese dhe autoriteteve të Holandës”.

Dedja u shpreh se, “bashkëpunimi midis autoriteteve  tona ligjzbatuese me autoritetet ligjzbatuese të Holandës si dhe të vendeve të tjera anëtare të BE është i plotë. Sikurse është shprehur dhe qeveria e Holandës në debatin që u bë në parlamentin holandez për këtë çështje”.

Dedja u shpreh se, përkushtimi i Shqipërisë mbetet i palëkundur që “të intensifikojmë bashkëpunimin me autoritetet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta dhe me të gjithë autoritetet e vendeve të tjera anëtare të BE për të luftuar aktivitetet e paligjshme ndërkufitare, për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil dhe për të luftuar krimin e organizuar”.

Sigurisht, theksoi Dedja, “gjithmonë ka vend për përmirësim, prandaj shpreha përkushtimin tonë për të punuar më tej, për të forcuar punën tonë, bashkëpunimin tonë me autoritetet holandeze për të adresuar problemet që mund të ekzistojnë”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.