Basha: Opozita nuk e njeh 30 qershorin

TIRANË, 3 korrik /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka konsideruar nul procesin e zgjedhjeve të 30 qershori është nul dhe se opozita nuk e njeh.

“30 Qershori është nul, sepse cenon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik. 30 qershori ishte jo vetëm veprim antikushtetues dhe antidemokratik, por edhe një veprim me kosto politike e shoqërore që dëmton direkt interesat e qytetarëve”, shprehet Basha.

Po ashtu, Basha shton se votimet e 30 qershorit, përtej një farse antiligjore, u manipuluan me çdo mjet dhe mënyrë, që nga manipulimet ligjore dhe kërcënimet e votuesve tek manipulimi i votimit dhe numërimit.

“Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve. Opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur. Këtë gjë e vendosën vetë shqiptarët më 30 qershor, në shumicë dërrmuese”, thekson ai.

Basha shton se kriza politike nuk zgjidhet pa ndëshkuar politikanëve që vjedhin vota.

“Kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet me pandëshkueshmëri, duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit. E vetmja rrugë drejt politikës normale dhe demokratike është ajo e sundimit të ligjit, që do të thotë, mbi të gjitha, një gjë: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin. Ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.