Balla: Vijon procedura për shkarkimin e Presidentit

TIRANË, 3 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “po vijon normalisht sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se “në këtë fazë të këtij procesi, raporti i komisionit të ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit i shkon seancës plenare”. “Sipas rregullores, Kuvendi i Shqipërisë diskuton në seancë plenare raportin e komisionit të ligjeve dhe në rast se raporti miratohet, procedura vijon më tej. Me miratimin e raportit ngrihet dhe komisioni hetimor për evidentimin e shkeljeve nga Presidenti i Republikës dhe më pas komisioni hetimor paraqet në Kuvend raportin përfundimtar që në rast se merr mbështetjen e 94 ose më shumë deputetëve miraton shkarkimin e Presidentit”, tha Balla.

Certifikimin e këtij procesi, sipas tij, “e bën Gjykata Kushtetuese”.

Balla tha se të gjitha grupet parlamentare do të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision.

“Jemi në zbatim të përpiktë të afateve Kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit për të çuar më tej këtë proces, që sa më shumë ditë kalojnë aq më kuptimplotë bëhet”, tha Balla.

Ai theksoi se sot është e rëndësishme që Kuvendi i Shqipërisë vijon procedurën normale dhe nesër kemi seancë plenare të rëndësishme.

Sa i takon thirrjes për dialog me opozitën, Balla tha se “ka një instrument të rëndësishëm ku fillon dialogu dhe ai është komisioni i reformës zgjedhore, ku kemi lënë të hapur mundësinë që PD të prezantohet në komision”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.