Ambasada holandeze: Vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën shqiptare

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ – Ambasada e Holandës në Tiranë ka përcjellë sot qëndrimin e qeverisë së Holandës në lidhje me vendimin e KE se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen.

Në njoftimin e Ambasadës holandeze thuhet se, “në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letërkërkesën e dërguar në datën 31 maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar”.

“Sinjali që vjen nga letërkërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Holanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Holandës mund të adresohen në mënyrë më efikase”, thuhet në njoftimin e Ambasadës holandeze.

“Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve”, thekson Ambasada e Holandës në Tiranë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.