Zgjedhjet e 30 qershorit/ Gjonaj: Shqiptarët zgjodhën aleancën me shtetin e së drejtës

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj pas mbylljes së procesit të numërimit për zgjedhjet e 30 qershorit, ka drejtuar një mesazh për të gjithë shqiptarët, po në mënyrë të veçantë, edhe punonjësve të burgjeve të cilët mundësuan që gjithkush me të drejtë vote ta ushtronte këtë të drejtë.

“E ardhmja nuk negociohet, nuk shkëmbehet dhe nuk shitet! Për ndërtimin e saj ndërmerren veç akte qytetarie si ai i datës 30 qershor, ku shqiptarët zgjodhën me përgjegjshmëri të plotë t’i drejtohen kutisë së votimit për të nënshkruar aleancë me shtetin e së drejtës, reformat e zbatuara dhe forcimin e institucioneve të DREJTËSISË”, tha Gjonaj.

Ajo tha se, “mirënjohje për çdo votues që zgjodhi të ushtrojnë të drejtën e tij kushtetuese për t’i dhënë goditjen e radhës “pandëshkueshmërisë” e cila shumë shpejt do të mbetet veç një histori e trishtë e së djeshmes dhe një koncept inekzistent i së nesërmes”.

“Si Ministre e Drejtësisë, ndiej krenari që mundëm të kemi një proces të qetë, transparent dhe dinjitoz si kurrë më parë edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit, ku gjithkush që lejohej nga ligji pati mundësinë të gëzojë lirinë e votës. Kjo është meritë e veçantë e punonjësve të burgjeve të cilët dua t’i shpreh falenderime pasi ditën se t’i përgjigjen me punë konkrete dhe profesionalizëm, sulmit të vazhdueshëm politik”, u shpreh Gjonaj.

Gjonaj vijoi se, “e prita me padurim rezultatin e njësisë 7 në Tiranë, pavarësisht se atë e kisha lexuar shumë mirë në sytë e të gjithë dashamirësve në çdo derë që trokita, në çdo lagje ku shkela dhe në çdo hapësirë ku dialogova. U jam falënderuese të gjithëve, nga aktivisti më i ri, te komisioneri më i vjetër, nga qytetari më i largët te ai më i afërt, nga përkrahësi më i ri tek ai më i moshuar”.

“I mirëkuptoj edhe ata qytetarë të cilët vendosën të mos votojnë si një zgjedhje e tyre. Pavarësisht kësaj dua t’i garantoj se askund, asgjë dhe askush nuk do t’i privojë apo paragjykojë për të përfituar të drejtat e tyre legjitime si gjithë të tjerët”, tha ministrja.

“Shpresëplotë që e nesërmja e gjeneratës tjetër do të zgjohet më e paqtë se sot, ku të gjithë bashkë do përpiqemi që çdo dialog fushate ta përkthejmë në punë konkrete”, përfundon ministrja Gjonaj. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.