Veliaj falenderon votuesit: Gara mbaroi! Më shumë punë përtej ndasive

TIRANË, 2 korrik/ATSH/- I mandatuar për herë të dytë nga qytetarët e Tiranës në krye të Bashkisë dhe për katër vitet e ardhshme, kandidati fitues i koalicionit të majtë Erion Veliaj ka falenderuar të gjithë ata që e votuan.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj thotë se tashmë që gara mbaroi, është koha për t’i përveshur sërish mëngët për më shumë punë e vllazëri, përtej ndasive, siç i ka hije Tiranës që duam. Duke garantuar qytetarët për angazhim maksimal në detyrën si kryetar Bashkie, Veliaj vlerëson edhe rivalin e tij në këtë garë, përfaqësuesin e Bindjes Demokratike, Arben Skënderi.

“Tirana u kry! Mirënjohje e përulësi për secilin prej jush! Respekt për Arben Skënderin e gjithë bekimet e botës për familjen e tij! Mezi pres edhe skuadrën e Këshillit Bashkiak, ku përveç PS do të ketë edhe disa parti të tjera, që të nisim me vendimet jetike aty! Gara mbaroi! Tani le të përveshim mëngët për më shumë punë e vllazëri, përtej ndasive, siç i ka hije Tiranës që duam! Ka më shumë gjëra që na bëjnë bashkë, se ato që na ndajnë. Unë do jap më të mirën për Tiranën, të ftoj edhe ty të japësh sa mundesh! Të falenderoj e përqafoj! Forca! Bashkë”,- shkruan Veliaj.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.