TIRANË, 2 korrik/ATSH/ – Erion Veliaj është zyrtarisht kryetar i bashkisë së Tiranës edhe për katër vitet e ardhshme.
Në zgjedhjet e përgjithshme vendore të 30 qershorit, qytetarët e Tiranës i besuan kandidatit të koalicionit të majtë Erion Veliaj edhe një mandat të dytë në krye të bashkisë më të madhe të vendit për të vijuar punët e nisura dhe për projektet e parashikuara nga ekipi i tij.
Sipas zyrës së shtypit të Veliajt, “nga 919 kuti të numëruara Erion Veliaj ia arriti që të marrë 152 230 vota duke arritur që të fitojë edhe votat e ish-aleatëve të PS që tashmë janë në opozitë. Nëse në zgjedhjet e shkuara Veliaj arriti që t’i marrë këto vota bashkë me LSI dhe PDIU, tashmë i vetëm Veliaj arriti të marrë thuajse të njëjtin numër votash duke pësuar një rritje tepër të madhe si kandidat”.
Rivali i tij në këtë garë, Arben Skënderi që kandidonte për “Bindjen Demokratike”, mundi të marrë 5,79 për qind të votave ose 9364 vota. z.tosku/ /a.g/