Në korrik nis debati i brendshëm për korrigjimet e nevojshme në qeverisje

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sonte pas zgjedhjeve se në korrik do të nisë debati i brendshëm për të analizuar situatën jo vetëm të Partisë Socialiste në skenën politike, por edhe marrëdhëniet ndërpartiake.

“Gjatë tërë muajit korrik do të zhvillojmë një debat të brendshëm për të analizuar qeverisjen qendrore dhe vendore qoftë nga bashkitë e drejtuara deri dje nga ne, qoftë në të tjerat që do të drejtojmë nga e nesërmja, dhe për të programuar të tëra korrigjimet e nevojshme në funksion të sfidës tej mase të vështirësuar. Një debat të gjerë për të analizuar situatën në familjen tonë të madhe politike në funksion të korrigjimeve të nevojshme duke u mbështetur tek shembujt e suksesshëm organizativë, që sot jo vetëm nuk munguan, por ishin tepër domethënës. Një debat për të analizuar edhe pozicionin tonë të ri në skenën politike të vendit dhe marrëdhëniet ndërpartiake qoftë me opozitën parlamentare qoftë me atë jashtë parlamentare”, – u shpreh Rama.

Rama e konsideroi ditën e sotme një moment historik.

“30 qershori është thjesht histori ndërsa ditët, muajt dhe vitet që do ta pasojnë nga nesër, deri në fund të mandatit tonë qeverisës, si dhe në katër vitet e mandatit të ri të qeverisjes vendore, janë borxhi ynë prej dje i shumëfishuar, dhe prej sot i tejkaluar në shumëfish ndaj të gjithë atyre që i dhanë Shqipërinë fitoren sot, fitoren e qytetarisë, të dinjitetit të njeriut të zakonshëm, të vullnetit të njeriut të këtij populli. Një milion herë më fisnik, më të mençur dhe më largpamës se politikanët dhe opinionistët e këtij vendi të marrë të gjithë së bashku. Është një borxh maramandës por unë e pranoj: nuk iki. Megjithëse e di mirë sesa shumëfish e vështirë deri më sot është sfida e shlyerjes së tij nëse ne nuk fillojmë qysh nesër të ndryshojmë nga ata që jemi sot”, – tha ndër të tjera Kryeministri.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.