Ndreu: Lezhjanët votuan me dinjitet

TIRANË, 30 qershor/ATSH/- Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Lezhës, Pjerin Ndreu tha sot në mbrëmje se pavarësisht përpjekjeve të punonjësve të bashkisë së Lezhës për të fotografuar votuesit, apo për të bërë presion ndaj tyre lezhjanët votuan me dinjitet.

“Me gjithë përpjekjet e pafundme të 1200 punonjësve të bashkisë Lezhë, që u instaluan para qendrave të votimit, në rrugica duke intimiduar votuesit nëpërmjet filmimeve, fotografimeve dhe presioneve verbale, sot socialistët lezhjanë dhe shumë qytetare të tjerë votuan duke treguar vlera të larta qytetarie. Ne nuk ramë në asnjë rast pre e provokimeve, por bëmë një proces model. Vitet e errëta të Lezhës mbaruan, të mirat na presin në vazhdim”, – deklaroi Ndreu në fund të procesit të votimit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.