FOTO/ Gjonaj: Më 1 korrik, të fokusohemi te projektet e së ardhmes

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka votuar sot në Tiranë dhe pas këtij procesi shprehet se, “këto nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por një vendim i rëndësishëm në dorë të qytetarëve të cilëve u takon të vendosin, ose minim të institucioneve duke u kthyer mbrapa, ose çlirim të tyre duke nxituar para. Nuk ka më kohë, ne na nevojitet kjo e fundit për të vrapuar drejt aspiratave tona”.

“Është e nevojshme që përmes votës qytetare, të përcjellim mesazhin e dakordësisë se jemi gati për forcimin e institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit dhe rindërtimin e plotë të “shtëpisë” së re të Drejtësisë e cila po transformohet çdo ditë nga forca e reformave”, – tha Gjonaj.

Ajo shtoi se, “deri tani jam e kënaqur që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe institucionet e tjera në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, janë në gatishmëri të plotë dhe po bëhet maksimumi për të garantuar një proces të qetë dhe demokratik në hapësirat ku ne kemi përgjegjësinë”.

“Votim të mbarë. Uroj që më 1 korrik, të fshijmë nga kujtesa tensionet politike të së shkuarës dhe të fokusohemi te projektet e frytshme të së ardhmes, për ligjin, drejtësinë dhe atdheun që duam”, – përfundoi ministrja Gjonaj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.