Rritet me 6,7% volumi i mallrave të përpunuara në porte

TIRANË, 29 qershor /ATSH/- Volumi i mallrave të përpunuara në portet e vendit po shënon rritje të vazhdueshme nga muaji në muaj.

Sipas të dhënave të INSTAT volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte në muajin maj 2019 shënoi sasinë prej 390 mijë tonë, duke u rritur 6,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se, edhe për periudhën e pesëmujorit të parë të vitit 2019, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte u rrit në 1.800 mijë tonë. Shifër kjo 8,2% më e madhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e volumit të mallrave të përpunuara në porte lidhet kryesisht edhe me rritjen që shënojnë në këtë periudhe eksportet shqiptare drejt tregjeve të huaja, ku dominojnë ndër të tjera produktet bujqësore.

Sipas INSTAT në vitin 2018 eksportet në total të mallrave shënuan vlerën 310 miliard lekë, duke u rritur me 13,7 % krahasuar me vitin e kaluar. e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.