Restauruesi Stamati sjell dëshminë e zbulimit të thesarit raguzian me 549 monedha argjendi

TIRANË, 29 qershor/ATSH/- Një thesar raguzian prej 549 copë monedha argjendi i futur në një poçe qeramike të glazuruar është zbuluar në vitin 2006 gjatë gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin e Durrësit. Thesari është me monedha të Raguzës, Itali, të qarkulluara gjatë viteve 1510-1530.

Kështu deklaron studiuesi dhe restauruesi Frederik Stamati, i cili vjen me një tjetër dëshmi të trashëgimisë sonë kulturore.

Poçja ishte e thyer, siç edhe shihet në fotografinë e parë të publikuar nga Stamati.

Sipas tij, thyerja nuk është e tanishme.

“Rezulton që thesari të ketë patur një histori interesante. Nga radiografitë me rreze X rezultoi se monedhat ishin hedhur në “dy duar”. Pastaj ishin fshehur poshtë dyshemesë së dhomës. I zoti i thesarit vdiq pa e treguar vendin. Me kohë shtëpia u shemb. Ata që ndërtuan më vonë gërmuan themele te reja. I shkuan përbri poçes, por që nuk e vunë re nga hedhurinat e ndërtimit. Dhe ashtu e lanë, të groposur. Po të kishin gërmuar 2-3 gisht më anash, do ta kishin gjetur. Përsëri pati shembje dhe thesari nuk u gjet, deri sa u ra për hise arkeologëve”, – nënvizon Stamati.

Stamati shprehet se “monedhat janë shumë të brishtëzuara nga qëndrimi në tokë, thyhen edhe po të duash t’i pastrosh me penel të butë. Argjendi është i përzier me bakër. Problemet e restaurimit ishin të shumta dhe të komplikuara. U “përzien” shumë shkenca, si kimia, fizika bërthamore, metalurgjia, etj. Puna ishte shumë-shumë delikate, si rikthimi i strukturës, pastrimi, konservimi, etj, etj. Por, u arrit”.

“Në atë kohë Durrësi zhvillonte tregti me Raguzën. Në monedha në njërën anë paraqitet Shën Blazius, shenjti mbrojtës i Raguzës, që mban në dore maketin e portit, njëlloj si ai që vizitojmë sot”, thekson Stamati.

Studiuesi dhe restauruesi Stamati thotë se “monedhat e thesarit tashmë ruhen shumë mirë në tabaka të posaçme, me folezësa të veshura me pelush, punë e bërë me shumë përkushtim nga numizmatja Shpresa Gjongecaj Vangjeli”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.