Pranimi në universitete, maturantët duhet të aplikojnë në portalin U-albania

TIRANË, 28 qershor/ATSH/-Pas mbarimit të provimeve të maturës, nxënësit duhet të ndjekin procedurën për regjistrimin në universitet, në një nga 10 degët e studimit që ata kanë përzgjedhur.

Për të ndjekur studimet në institucionet e arsimit të lartë, maturantët duhet të aplikojnë në portalin U-albania, por më parë duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë në zyrat e Postës shqiptare deri më 25 korrik.

Rezultatet gjatë tri viteve të gjimnazit dhe notat e 4 provimeve të maturës shtetërore janë kriteret kyçe për pranimin në universitet të maturantëve.

Portali U-albania nuk do të pranoje aplikime nga maturantet, të cilët nuk plotësojnë edhe kriterin e notës mesatare, që sipas vendimit të këshillit të ministrave është rritur nga 7 në 7.5 për mësuesinë, ndërsa nga  6 në 6.5 për programet e tjera të studimit.

Pas përllogaritjes së pikëve për çdo konkurrent ,universitetet afishojnë në ambientet e tyre dhe faqet zyrtare listat e renditjes. Në datat 2 deri 15 shtator, kush është shpallur fitues paraqet në sekretaritë mësimore të fakulteteve dokumentacionin përkatës dhe regjistrohet. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.