Gjirokastra në 4 vitet e ardhshme, një vend me shumë mundësi për të rinjtë

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ – Gjirokastra në katër vitet e ardhshme do të jetë një vend më i mirë dhe me më shumë mundësi edhe për të rinjtë.

Kështu u shpreh kandidati i Partisë Socialiste në bashkinë e Gjirokastrës, Flamur Golemi gjatë një takimi me të rinjtë e qytetit të gurtë.

“Si kryebashkiak do të ndërmarr nisma dhe projekte të ndryshme në mbështetje të tyre. Asnjë vendim që lidhet me ta, nuk do të merret nga bashkia Gjirokastër pa u konsultuar së pari me të rinjtë”, – u shpreh Golemi.

Ai bëri të ditur se do të krijojë një fond të veçantë për të mbështetur sipërmarrjet e të rinjve.

“Na pret shumë punë pas 30 qershorit. Bashkë me votën e të rinjve do t’i japim Gjirokastrës vëmendjen e munguar të qeverisjes vendore”, – tha Golemi./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.